Nga Maringlen ZHIVANI

Pas dy fitoreve në ndeshjet e para, Vllaznia U21 ka pësuar sot humbjen e parë në kampionat. Një humbje disi e papritur ndaj Vorës brenda në “Reshit Rusi” në shifrat 2-1. Trajneri i saj Edmond Doçi duke folur për “Shkodra Sport” pas ndeshjes ka “goditur” disa prej lojtarëve të ardhur nga ekipi i parë.

Sipas tij, këto lojtarë duhet në rradhë të parë duhet të paraqiten mirë me ekipin U21 dhe më pas të pretendojnë ekipin e parë. Paraqitja e disa prej tyre në ndeshjen e sotme nuk ka qenë ajo e duhura dhe prandaj ka ardhur edhe humbja.

“Humbëm shumë raste të them të drejtën dhe nuk na ndihmoi edhe fati. Megjithatë, edhe futbollistët duhej të ishin më të qetë përpara portës. Gjëja që kemi kërkuar gjithmonë është ajo që na zhgënjen, sepse ne presim prej disa futbollistëve të bëjnë diferencën. E kemi shprehur shumë herë dhe kjo është gjëja kryesore që ne insistojmë.

Kur nuk funksionon kjo, atëherë nuk është mirë, sepse këto futbollistë po nuk u paraqitën mirë këtu, edhe në ekip të parë kanë për ta patur të vështirë për të luajtur. Kështu që, duhet të jemi më të kujdesshëm. Duhet t’i vlerësojmë të gjitha ndeshjet, sepse po t’i shohim golat e pësuar, ato gabime nuk mund t’i bëjnë kurrë disa futbollistë që pretendojnë të jenë profesionistë në një të ardhme të afërt. Futbollistët duhet të jenë më të përqëndruar, edhe pse po luajnë me U-21.

Është një mësim i mirë që ata futbollistë që vijnë duhet ta vlerësojnë dhe duhet të japin maksimumin, sepse është një ndeshje futbolli. Në një ndeshje kur hyn për ta luajtur, duhet edhe për ta fituar. Kështu që, mendoj se kjo humbje e sotme ndaj Vorës, do na vlejë shumë, sepse nuk do t’i nënvlerësojnë më ndeshjet në vazhdim. Ndeshja e sotme u humb prej nënvlerësimit sesa prej aftësive të Vorës, pasi ne e kishim komplet në dorë”- është shprehur Doçi./www.shkodrasport.com/