Ekipi kombëtar U-17 ka nisur që prej ditës së enjte grumbullimin dhe përgatitjet në Durrës, në kuadër të eliminatoreve të Kampionatit Europian 2023 për këtë grupmoshë. Skuadra e drejtuar nga Ervin Bulku po zhvillon stërvitje intensive, me nga dy seanca në ditë, në mënyrë që të përgatiten sa më mirë për ndeshjet e grupit të 7 që do të zhvillohen në Kroaci.

23 lojtarët e grumbulluar nga trajneri Bulku janë prej kohësh pjesë e Kombëtares, me kuqezinjtë që tashmë njihen mirë me njëri-tjetrin dhe gjithashtu njohin edhe lojën e njëri-tjetrit.

Me kete kombetare eshte i grumbulluar edhe futbollisti shkodran Egert Selmani, i cili luan si mesfushor me ekipin e moshave të Vllaznisë shprehet se Kombëtarja i ka të gjitha mundësitë për të përballuar Suedinë, Kroacinë e Uellsin në këto eliminatore.

‘Skuadra është mjaft e kompletuar dhe besoj se do të japë maksimumin. Gjithmonë është mirë kur grupi është i familjarizuar sepse njihemi më shumë me njëri-tjetrin, jemi më të lirshëm, më të hapur dhe besoj se do jemi mjaft mirë në ndeshjet e radhës. Do përballemi me Suedinë, Kroacinë dhe Uellsin. Besoj se skuadra i ka potencialet për të përballuar këto skuadra. Do shkojmë aty për rezultat të mirë, që të japim maksimumin’ – thotë Selmani.

Ndërkaq, Selmani shpalos edhe objektivat e tij për të ardhmen. ‘Unë si pjesë e kësaj skuadre ndihem shumë mirë sepse njihem me të gjithë çunat. Kemi gati dy vite që jemi bashkë dhe objektivat e mia për të ardhmen janë të luaj për Kombëtaren A dhe shpresoj në ekipin e parë të Vllaznisë’ – përfundon për fshf.prg Egert Selmani.