Në merkaton e kësaj vere u transferua drejt kampionatit armen të futbollit pas 1.5 vitesh në rradhët e Shkëndijës. Fjala është për Erald Çinarin i cili tashmë është pjesë e ekipit të Noahs.

Shkodrani e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme aventurën e tij në Armeni. Ku pas golit në Conference League, ka gjetur edhe rrjetat që në javën e parë të kampionatit.

Në ndeshjen kundër Shirak, të luajtur në transfertë ekipi i Noahs e ka nisur me fitore sezonin 2024-25. Sulmuesi shkodran i cili jo vetëm u prezantua si titullar në këtë duel, por gjeti edhe golin në minutën e 19-të të ndeshjes.

Ku pas një topi të pasuar në zonë, numri 11-të shfrytëzoi në maksimum hapësirat. Dhe me një goditje me të djathtën dërgoi topin pas shpatullave të portierit kundërshtar.

Por nuk do ndalej me kaq 27-vjeçari, pasi në minutën e 53-të do shënonte edhe golin e tij të dytë. Dhe kjo pas një aksioni mjaft të bukur të Noahs, i cili u konkretizua me gol nga ana e Çinarit për shifrat 0-3. Duke kurorëzuar kështu një performancë dhe një debutim fantastik në kampionat me skuadrën e tij të re.

Në fund rezultati pas përfundimit të 90 minutave do ishte në shifrat 0-5. për Noahn. Një ekip që ka pretendime për kampionatin në Armeni. Ku në sezonin 2023-24 e mbylli si nën kampione e vendit, duke qenë kështu 2 pikë pas kampionëve të Pyunik./www.shkodrasport.com/

0d65b183-17b1-4c75-8283-6b2596454732

367e2b63-a2bd-4849-8182-c6719c064b1b