Erald Çinari nuk ndalet në Armeni, duke u shndërruar në personazhin kryesor të ekipit të tij, Noah. Shkodrani edhe një herë ditën e sotme është paraqitur nga minuta e parë në formacion me ekipin bardhezi. Duke mos zhgënjyer aspak me performancën e tij.

Në përballjen me Shirak në kuadër të javës së 19-të në Armeni, mëngjërashi ishte protagonist absolut në 45 minutat e para për ekipin e Mottas. Fillimisht në minutën e 24-të, 28-vjeçari do rrëmbente një top në mesfushë dhe me një pasim diagonal prezanton Gregorion përballë portierit kundërshtar. Me portugezin i cili shfrytëzon në maksimum asistin e Çinarit, për të kaluar në avantazh ekipin vendas.

Nuk do vononte shumë dhe pas asisitit, ish-futbollisti i Vllaznisë do gjente edhe rrjetën personale. Pasi në minutën e 26-të, një krosim i ardhur nga e djathta e gjen në zonë, ku me një shkëputje të bukur me kokë ai e dërgon topin në rrjetë.

Ky ishte edhe goli i 11-të sezonal për Çinarin në Armeni, ku ka dhënë edhe 5 asiste deri më tani. Me sulmuesin i cili po përjeton sezonin e tij më të mirë në karrierë dhe po shkon i sigurt drejt titullit kampion në Armeni me skuadrën e Noahs.(www.shkodrasport.com)