Ditën e sotme janë luajtur edhe ndeshjet e para të turit të dytë të Europa dhe Conference League. Në thuajse gjithë Europën futbolli ka qenë krye tema e ditës. Një nga protagonistët e ndeshjeve të Conference League ka qenë edhe një futbollist shkodran. Fjala është për Erald Çinarin, cili tashmë aktivizohet në Armeni tek Noah.

27-vjeçari ishte titullar në duelin që zhvilluan nën kampionët e Armenisë kundër Sliemas së Maltës. Rezultati përfundimtar i ndeshjes do ishte në shifrat e thella 7-0 në favor të ekipit të Çinarit. Pjesa e parë në duelin e zhvilluar në Jerevan do përfundonte në shifrat 3-0, ku do shënonte 2 herë Gregorio dhe 1 herë Pinson. Duke treguar kështu supermacinë e ekipit armen.

Në të dytën do ishte sërish Gregorio që do siglonte edhe tripletën personale. Por më pas do ishte rradha e Çinarit. Ish-sulmuesi i Vllaznisë brenda 2 minutash do shënonte dy herë. Fillimisht në minutën e 71-të duke shënuar kështu golin debutues me fanellën e re. E më pas në minutën e 72-të do ripërsëriste vetveten për të shënuar kështu edhe dopietën personale.

Një performancë kjo e shkëlqyer e mëngjërashit i cili e nis në mënyrën më të mirë të mundshme aventurën e tij në Armeni. Kujtojmë që për Çinarin në verë u interesua edhe Vllaznia, por shkodrani vendosi ta vijojë karrierën jashtë vendit. Ku tashmë në 3 ndeshjet e para me fanellën e Noahs, të gjitha të zhvilluara në Conference League ai ka shënuar 2 gola./www.shkodrasport.com/