Erdenis Gurishta, kapiteni i Vllaznisë, në një intervistë ka folur për Kupën e fituar nga Vllaznia vitin e kaluar. Ai ka komentuar ecurinë e tij të deritanishme me klubin shkodran, një klub ky që për të sipas tij është gjithçka.
Gurishta u shpreh se është një emocion dhe një ndjesi e madhe të fitosh një Kupë me Vllazninë, ndërsa theksoi se këtë sukses ta përsërisin edhe sot, duke fituar kështu Kupën e Shqipërisë dy vite rradhazi.
“Sigurisht që, është një emocion të fitosh një Kupë me Vllazninë. Unë jam lindur në Shkodër. Jam rritur tek KF Vllaznia dhe normalisht që është një emocion, duke qenë edhe kapiten i ekipit, emocioni është shumë më i madh.
E provuam vitin e kaluar fitimin e Kupës së Shqipërisë dhe ishte një emocion i jashtëzakonshëm. Ishte një ndjesi shumë e bukur. Shpresoj shumë ta përsërisim edhe këtë sezon dhe të fitojmë Kupën dy vite rresht, që do të thotë që të paktën të futemi në histori te klubi Vllaznia, sepse deri në këto momente, Kupa nuk është fituar dy vite rresht.
Vllaznia për mua është gjithçka. Eshtë klubi që më ka dhënë gjithçka, që në këto momente jam. Eshtë klubi ku unë jam rritur. E falënderoj shumë dhe i jam mirënjohës. Padiskutim, nuk e di… Pa Vllazninë, nuk e di ku do isha”,-mbylli prononcimin e tij, kapiteni i Vllaznisë, Erdenis Gurishta. /Maringlen ZHIVANI/