Kombëtarja shqiptare e vajzave do të zhvillojë nesër ndeshjen e parë në turneun “Visit Malta Trophy” ndaj Bjellorusisë. Ky takim do të luhet në stadiumin “Tonny Bezzina” në ora 14:00.
Prej ditës së hënë, Kombëtarja e vajzave ka nisur përgatitjet për turneun “Visit Malta Trophy” dhe nën urdhrat e trajnerit Armir Grima 18 futbollistet e grumbulluara janë stërvitur në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” dhe janë të gatshme për ndeshjen e nesërme ndaj Bjellorusisë.
Mesfushorja kuqezi, Ezmiralda Franja, në një prononcim për fshf.org e konsideron mjaft të vlefshëm turneun “Visit Malta Trophy”. Përsa i përket kundërshtarëve, futbollistja e Vllaznisë tha se me Bjellorusinë janë përballur edhe herë tjetër dhe e njohin si ekip, megjithatë synimi është vetëm fitorja në të dyja takimet.
“Mendoj që ky turne është mjaft i vlefshëm. Do të zhvillojmë dy ndeshje miqësore, kundër Bjellorusisë dhe Ishujve Faroe. Natyrisht këto dy ndeshje do të na shërbejnë shumë që profesori të shohë grupin, gjendjen dhe pse jo ndonjë lojtare të re.
Me Bjellorusinë kemi luajtur njëherë për kualifikueset e Europianit. Nuk kanë ekip të dobët, janë mirë si ekip. Ne synojmë fitoren në të dyja sfidat” – tha fillimisht Ezmiralda Franja.
Më tej, mesfushorja kuqezi dha edhe një koment për elementët e rinj në skuadër dhe shtoi se ekipi Kombëtar ka nevojë për talente të reja.
“Ndihem shumë mirë. Kam shumë vite që jam pjesë e Kombëtares. Natyrisht ekipi Kombëtar ka nevojë për talente dhe lojtare të reja që t’i sjellin freski ekipit dhe shpresoj që ato të japin më të mirën, të paraqiten mirë dhe të kenë vazhdimësi me Kombëtaren“- përfundoi Ezmiralda Franja.
Në turneun “Visit Malta Trophy”, Shqipëria e vajzave do të zhvillojë dy ndeshje ndaj Bjellorusisë (22 shkurt) dhe Ishujve Faroe (25 shkurt). Të dyja takimet do të luhen në stadiumin “Tonny Bezzina” në ora 14:00.