Kemi folur e shkruar shpesh në lidhje me futbollin e femrave në vendin tonë. Tashmë të gjithë e kanë të qartë se ky futboll i ka rrënjët e tij në Shkodër, pikërisht në fshatin Juban, aty ku Ferdinand Jaku, një pasionant i madh i sportit, bashkë me disa miq të tij dhe me disa vajza të zonës, krijuan të parin ekip të futbollit të femrave në vendin tonë, që e pagëzuan me emrin “Juban Danja”.

Ka ndodhur kjo më 6 shtator 2005, që kësisoj ka hyrë në histori si data e lindjes së futbollit të femrave në vendin tonë. Një datë që është e fiksuar më së miri në një pllakatë të vendosur në vendin ku është luajtur edhe ndeshja e parë.

“Shkodra Sport” vjen pranë jush me një intervistë disi ndryshe të njeriut që e ka krijuar këtë ekip. Ferdinand Jaku shpjegon me hollësi si lindi ideja për të bashkuar një numër të konsiderueshëm vajzash për të luajtur futboll, çfarë efekti kishte kjo gjë dhe jehonën që gjeti edhe në media.

Në këtë prononcim të dhënë për “Shkodra Sport” presidenti Jaku ka folur edhe vështirësitë e shumta që ka kaluar në këto 14 vite, idenë ndoshta edhe për të hequr dorë, por pasioni nuk e ka lënë ta bëjë një gjë të tillë, madje e ka shtyrë për të shkuar më përpara.

Ambicjet e tij nuk janë thjesht për të mbetur tek fakti se “Juban Danja” është skuadra e parë e krijuar, ekipi i parë shqiptar që ka luajtur një ndeshje ndërkombëtare dhe po ashtu, si fitues i dy trofeve të rëndësishëm. Ai dëshiron të shkojë edhe më tej.

“Kam shpenzuar shumë, edhe kohë, edhe nga ana financiare për këtë ekip, por kjo që kam arritur me këtë ekip e tejkalon çdo shpenzim që kam bërë. Nga ana morale kam fituar shumë, e kam shijuar këtë gjë që kam bërë”- ka thënë ai.
© shkodrasport.com