Një ndër emrat që ka lënë gjurmë në ekipin e Vllaznisë është padyshim edhe Ferid Rragami. Një futbollit i shkëlqyer, me histori personale të jashtëzakonshme. Kjo intervistë e mëposhtme u realizua me rastin e 65-vjetorit të tij.
Rragami u shpreh se përjetoi emocione të forta, duke festuar 65-vjetorin e tij mes miqsh, ndërsa theksoi se për të është nostalgji rikthimi në Shkodër.
“Shumë emocione të festoj 65-vjetorin mes miqsh, më tepër se sa në futboll emocionet. Kur sheh njerëzit që të afrohen afër, ndien edhe një kënaqësi domethënë. Kur e bën një gjë të tillë mes një ambienti shumë sportiv, shumë të dashur për futbollin dhe shumë njerëz të mirë populli i Shkodrës.
Kam luajtur rreth 12 vjet me Vllazninë. E kam kaluar shumë mirë dhe më kanë ndihmuar ish-sportistët më të vjetër se sa unë, më kanë ndihmuar në drejtimin e futbollit plus që unë e kisha kuptuar që Vllaznia luan futboll shumë të bukur.
Për mua është nostalgji rikthimi në Shkodër. Jam rritur në Shkodër. Më ka pëlqyer ambienti shkodran mua si sportist edhe prindërve dhe vëllezërve të mi, i ka pëlqyer ambienti shkodran. Kanë jetuar në Shkodër. Vazhdojnë jetojnë në Shkodër, pavarësisht se janë jashtë shtetit, vijnë për çdo rast në Shkodër.
Faktikisht, unë me hope e kam ndjekur futbollin e sotshëm të Vllaznisë, kurse më ka pëlqyer ky presidenti Alban Xhaferi, që e ka marrë tani. Ishalla i ec mbarë. Çfarë kam dëgjuar edhe nëpër TV domethënë, për kontributet, për atë dëshirën që ka dhe programin që ka. Besoj që do t’ia dalin, por është fillimi. Nuk duhet ta marrin si të them me frikë. Ka investuar shumë dhe më bëhet qejfi që Vllaznia ka shumë talenta.
U fut sistemi i kapitalizmit dhe më vonë pastaj, unë nuk kisha më dëshirë që ta vazhdoja këtë gjë, për t’u marrë edhe me sektore të tjera, linja të tjera për të fituar sa më shumë lekë.
Kulmin e parë e kam kur kam dalë kampion Ballkanit me ekipin Shpresa, që rrahëm Rumaninë 7-1 në Tiranë. Dolëm kampionë Ballkani. Kulmin e dytë flas për arenën ndërkombëtare e kam me Belgjikën, që e rrahëm Belgjikën 2-0 me ekipin e Kombëtares, kurse kulmin e tretë e kam kur mora Kupën e Republikës në Vlorë në vitin 1987, që fituam 3-0 në Shkodër, humbëm 3-1 atje me golin që shënova unë, morëm Kupën.
Mua faktikisht nuk më ka bërë mbiemri futbollist, vetëm prindërit që më kanë lënë të lirë. Në ambientin ku kam kaluar fëmijërinë, ka pasur fushë futbollit dhe edukimin e parë ma ka dhënë pastë rahmet Ernest Halepjani, trajneri i parë, që në moshën 6-vjeçare, kur kam filluar futbollin në Shtëpinë e Pionerit, se aty kisha edhe shtëpinë. Isha komshi me Krosajt. Isha i vetmi musliman që jetoja në epiqendrën e katoliçizmit, por me shumë dashuri. Na kanë dashur shumë, na kanë rrespektuar shumë.
Për Shkodrën është një koncept, që janë shumë tolerant. Duhet të jenë pak më të egër. Duhet të karikohen pak më shumë në drejtimin e sportit, të artit, sepse Shkodra ka pasur në të gjitha drejtimet talenta dhe i uroj suksese me gjithë shpirt fitimin e Kupës, që do bëhet tani në finale”,-mbylli prononcimin e tij, ish-futbollisti i Vllaznisë, Ferid Rragami.
Maringlen ZHIVANI