Skuadra e Partizanit ka menduar që në këto ditë të fundvitit, t’u qëndrojë më parën familjeve në nevojë për t’i ndihmuar sadopak në vështirësitë e tyre për të përballuar festat. Disa prej lojtarëve të klubit të kuq si Trashi, Hoxha, Mensah, Bardhi, etj., ishin sot në qytetin e Cërrikut, ku kanë shpërndarë ndihma në familje të ndryshme.
Klubi i kuq është bërë pjesë e një iniciative të “Grupimi 5 Plus Cërrik” i cili ka menduar se kryesuesit e kampionatit të Superiores ishin pikërisht emrat e duhur për të përçuar mesazhin “Bamirësia nuk të varfëron” që ka si moto kjo shoqatë e cila u qëndron pranë familjeve në nevojë.
NJOFTIMI I PARTIZANIT
FK Partizani me rastin e festave të fundvitit ishte sot prezent në qytetin e Cërrikut.
Pjesëtarë të stafit dhe titullarë të ekipit në bashkëpunim edhe me aktivistët “Grupimi 5 Plus Cërrik” dhuruan sot pako me ushqime dhe veshje në këtë të diel të fundit të 2018-së duke i ardhur në ndihmë familjeve në vështirësi nën moton “Bamirësia nuk të varfëron”. Falë këtij aktiviteti i cili nuk është i vetmi, përfaqësuesit e kuq përcollën mesazhin human për të qenë sa më pranë njerëzve në nevojë në prag të vitit të ri. Një vizitë e këndshme ka rezultuar edhe për fëmijët, të cilët kanë patur mundësi të takojnë dhe përqafojnë nga afër lojtarët e skuadrës të cilën simpatizojnë. /vipsport/