Sabah Bizi është një nga legjendat dhe talentet më të mëdha të futbollit shqiptar, kryesisht si titullar i Vllaznisë. Bizi ka qenë nga ata futbollistë, të cilët me punën, aftësinë dhe përkushtimin e tij, ka kontribuar në rezultatet më të larta kombëtare dhe ndërkombëtare të Vllaznisë, por jo vetëm.
Në një intervistë per “Shkodra Sport”, ai foli për katër Kupat e fituara me Vllazninë, por jo vetëm pasi u ndal edhe tek ndeshja e sotme finale Vllaznia-Laçi. Bizi u shpreh se edhe kur luanin në transfertë, me praninë e sportdashësve, dukej sikur ndeshja zhvillohej në Shkodër. Ai theksoi se emocionet e përjetuara në atë periudhë, kanë qenë të mëdha për sukseset që i sollën Vllaznisë.
“Në vitin 1965, Vllaznia ka marrë për herë të parë Kupën e Republikës, në finale me Skënderbeun e Korçës, në kryeqytet, me një gol të Selami Danit dhe Vllaznia mori Kupën. Përsëri në vitet 1971-1972, është ajo historia e shtatë penalltive të ndjerit Rragami. Domethënë, ishte Kupa e dytë. Në vitin 1979 përsëri, Vllaznia merr Kupën e Republikës, gjithashtu edhe në vitin 1981 Kupën tjetër dhe në të gjitha këto Kupa, pjesëmarrja ime ka qenë pranë ekipit.
Më ka qëlluar ta ngrej Kupën si kapiten skuadre. Kupat dy herë i kemi fituar në qytetin e Shkodrës, ndërsa dy të tjerat në fushën kundërshtare. Megjithatë, është dukur si në Shkodër, sepse ka qenë edhe prania e sportdashësve dhe është dukur sikur ndeshjet janë zhvilluar në Shkodër. Emocionet kuptohet janë të pamohueshme, sepse është një realitet, është një gëzim, që i kemi sjellë tifozërisë shkodrane, që në atë kohë ka qenë shumë-shumë e dashur dhe të them të drejtën, kënaqësi kam edhe te Kupa që luajmë sot. Kam qejf që Vllaznia ta fitojë. Dëshirojmë ta marrim edhe këtë Kupë. Kam kënaqësi, sepse më që jam edhe pjesëtar i katër Kupave, të paktën edhe në TV, ta shoh duke çuar Vllaznia Kupën e Republikës.
Tani, Kupa nuk është se tregon realitetin e një skuadre. Të thuash për kampionatin, është një vazhdimësi, një përgatitje serioze dhe e gjatë, ndërsa te Kupa janë ndeshje të veçanta, ku gabimet p.sh të një ndeshje, edhe të skualifikojnë. Në qoftë se, për kampionat ke të drejtën edhe mundesh që ta realizosh situatën, në ndeshjet e Kupës ndodh edhe që mund të eleminohesh dhe kështu ka ndodhur edhe me Vllazninë. Megjithatë, keni të drejtë, sepse Vllaznia është një ekip elitë i kampionatit shqiptar të futbollit dhe ashtu si Tirana dhe Partizani, edhe Vllaznia rradhitet me këto dy ekipe, për sa i përket fitimit të titullit kampion apo marrjes së Kupave të Republikës.
E përmenda edhe më parë, dëshira është e madhe që Vllaznia ta fitojë Kupën. Megjithatë, Vllaznia në këto dy ndeshjet e fundit, jo se fitoi, por ka diçka që është zgjuar pak nga gjumi dhe besoj që kjo finalja e Kupës që nuk ka më ndeshje dhe për të kaluar pushime të mbara, duhet ta fitojmë”,-mbylli prononcimin e tij, ish-futbollisti i Vllaznisë, Sabah Bizi.
Maringlen ZHIVANI