Sebastian Spahiu rezultoi goditja e fundit në merkaton e Egnatias. Mesfushori me tipare sulmuese ka lindur në Belgjikë dhe është aktivizuar me klubin Muskron. Më tej Spahiu u transferua në kategoritë inferiore të futbollin spanjoll, respektivisht me Guiejlon dhe Izarrën.

Sezonin e shkuar ai ishte pjesë e Laçit, para se të firmoste për dy vite me rrogozhinasit. Ish-lojtari i Shpresave, që debutoi ndaj Kukësit, në një intervistë për mediat tregon për këtë start të aventurës me fituesit e Kupës së Shqipërisë.


Spahiu, si po shkon ambientimi në këto ditë të para tek Egnatia?

Jam ndier shumë komod, madje jam befasuar në gjithçka që kam parë sa i takon infrastrukturës, por edhe ambientit që kam gjetur këtu.


U aktivizuat 17 minuta ndaj Kukësit. Si u ndiet në këtë debutim?

Është e lehtë të japësh atë që disponon dhe të integrohesh me shokët e skuadrës, kur këta të fundit kanë cilësi. Egnatia e tregoi edhe sezonin e shkuar se është një skuadër simpatike dhe realisht jam i kënaqur që do të luaj me këta djem të shkëlqyer.

Luani në një skuadër plot kualitet. I druheni konkurrencës?

Për të qenë i sinqertë, ky ishte një nga motivet pse firmosa për klubin rrogozhinas. Dua të tregoj cilësitë e mia për të hedhur një hap të rëndësishëm në karrierë. Gjykoj që jam në vendin e duhur për të arritur objektivat personalë. Duhet thënë që grupi i lojtarëve është shumë i fortë dhe kjo mendoj se do të jetë një armë e fortë për arritjen e objektivave që kemi këtë sezon.

Objektivi i klubit është 4-shja e parë. Sa besoni te titulli kampion?

Skuadra është e kompletuar dhe infrastruktura sportive na jep besim dhe forcë që të bëjmë më të mirën. Ky sezon pritet të jetë i luftuar, pasi edhe cilësia e futbollit tonë është rritur ndjeshëm.


Si është raporti me trajnerin Tetova dhe si ndiheni me taktikat e tij?

Me profesor Edlirin ndihem shumë mirë. Më pëlqen stili i tij sa u takon seancave stërvitore, madje më bën përshtypje, sepse është shumë racional. Kërkon shumë dhe analizon detajet me qëllim që ne ta kemi më të thjeshtë.