Kombëtarja shqiptare U-15 për vajza ka nisur që prej ditës së martë grumbullimin në kuadër të turneut ‘UEFA Development’ për këtë grupmoshë që do të zhvillohet në datat 12-17 nëntor në Qendrën Stërvitore të Ekipeve Kombëtare në Kamëz.

Ekipi i drejtuar nga Kreshnik Krepi po bën përgatitjet e duhura në prag të këtij kompeticioni që ka si qëllim zhvillimin e futbollit te vajzat e kësaj grupmoshe, të cilat veç seancave stërvitore do të kenë mundësi të shfaqin edhe në fushë cilësitë e tyre, përballë bashkëmoshatareve të Greqisë, Andorrës e Estonisë.

Portieria e Vllaznisë Laura Gjergji vjen për herë të dytë në ekipin kombëtar e sigurisht që nuk e fsheh kënaqësinë që ka marrë sërish ftesën për të përfaqësuar ngjyrat kuqezi.

Laura luan në pozicionin e portieres në ekipin e Vllaznisë, teksa në turneun e zhvilluar rreth dy muaj më parë në Bosnje – Hercegovinë, ajo ka mbrojtur portën kuqezi. Në një prononcim për fshf.org, Laura është me këmbë në tokë, teksa nga ky turne kërkon të marrë më shumë përvojë, por sigurisht që edhe rezultatet kanë rëndësi.

“Jam Laura Gjergji. Luaj si portiere në ekipin e Vllaznisë. është hera e dytë që grumbullohem me Kombëtaren, kam qenë edhe më parë në turneun e zhvilluar në Bosnje – Hercegovinë. Jam shumë e lumtur që marr pjesë sërish në grumbullimin e ekipit kombëtar U-15. Jemi një ekip i ri dhe sigurisht për ne ka shumë vlerë edhe rezultati, por edhe se si ne paraqitemi në ndeshje. Gjithsesi, ne do të japim maksimumin për të fituar tre ndeshjet që kemi në këtë turne” – tha Laura Gjergji.