Trajneri i Realit të Madridit në futboll për femra, Alberto Toril, ka folur në prag të ndeshjes kundër Vllaznisë, e vlefshme për përballjen e parë të fazës së grupeve të UEFA Women Champions League. Ai u ndal tek ekipi shkodran, teksa ka dhënë edhe mendimin e tij në lidhje me skuadrën kuqeblu.
Toril u shpreh se në Shkodër do të japin maksimumin për të marrë fitoren e parë, ndërsa theksoi se e rrespektojnë në maksimum Vllazninë, pasi janë në dijeni që shkodranet kanë zhvilluar ndeshje të mira dhe kanë pasur një ecuri shumë pozitive.
“Fillojmë një kompeticion shumë të vështirë edhe njëherë. Kemi patur ndeshje të vështira para se të vinim këtu. Gjithsesi, mendoj që kemi arritur rezultate të mira, sepse në 16-të më të mirët. Tani do bëjmë më të mirën tonë për të arritur rezultatin më të mirë.
Ne rrespektojmë maksimalisht rivalët që kemi. Vllaznia mendoj që ka zhvilluar ndeshje shumë të mira dhe mendoj se ka ardhur në këtë pikë me shumë grintë dhe me një ecuri shumë pozitive. Ka pasur një ecuri shumë të mirë edhe në ndeshjet e kampionatit shqiptar. Ne do të synojmë të arrijmë maksimumin, por gjithmonë duke respektuar Vllazninë në fushën e lojës.
Normalisht, Vllaznia ka një stimul shumë të madh, sepse është përpara publikut të vet. Luan në shtëpi dhe normalisht, do të bëjnë maksimumin, në një kompeticion të tillë për të arritur fitoren. Ndërkohë, ne jemi një ekip i ri, ka dy-tre vite që jemi konsoliduar. Objektivat tona janë për të arritur sa më shumë dhe sa më tepër.
Vllaznia luan përpara tifozërisë së saj, por gjithsesi në fushë luhet 11 kundër 11. Ne do të bëjmë maksimumin tonë, sepse duam të kalojmë në fazën tjetër. Normalisht, bëhet fjalë për ekipe që kanë dalë në 16-she. Të gjithë kanë shkuar këtu ku janë me meritën e tyre. Ekipet kuptohet që kanë në një farë mënyrë hierarkinë e tyre, por gjithsesi të gjithë luajnë shanset e veta dhe të gjithë, dalin në fushë njësoj për të dhënë më të mirën.
I kënaqur me barazimin? Jo, absolutisht. Ne vijmë për të fituar në Shkodër. Eshtë shumë e rëndësishme që këto kompeticione kaq të shkurtra, t’i fillojmë me një rezultat sa më të mirë”,-mbylli prononcimin e tij, trajneri i ekipit të Realit të Madridit në futboll për femra, Alberto Toril.
Maringlen ZHIVANI