Kampionati bullgar i futbollit dhuron shpesh çudi nga më të ndryshmet dhe këtë fundjavë pa treguar një nga ngjarjet më të pazakonta. Para ndeshjes së javës së 25-të të kampionatit mes Arda Kardzhali dhe Levski Sofje, u mbajt një minutë heshtje.

Klubi i Arda bëri të ditur se ishte ndare nga jeta disa orë më parë ish-futbollisti i kësaj skuadre, Petko Gançev, ndaj kërkonte ta respektonte në këtë mënyrë. Një kërkesë që u miratua dhe dy skuadrat u rreshtuan në mes të fushës siç është bërë traditë, në nderim të tij.

Por në pushimin e ndeshjes, dikush nga të afërmit e Gançev kontaktoi drejtuesit e klubit, duke i bërë të ditur se informacioni ishte i gabuar. Ai ishte gjallë e mirë dhe nuk kishte probleme shëndetësore e aq më pak të kishte vdekur.

Gançev, autor i më shumë se 120 golave me fanellën e Arda, nuk dinte asgjë dhe kishte qenë në rrugë. Pas kthimit në shtëpi, kishte mësuar gjithçka nga gruaja e tij, e cila ishte tronditur pasi e kishin lajmëruar për këtë nderim të klubit. “Në TV thanë që ke vdekur. Nuk arrija ta kuptoja çfarë më thuhej dhe çfarë kishte ndodhur”, i kishte thënë ajo mes lotëve bashkëshortit të saj në ato momente.

Klubi bullgar u detyrua të kërkonte ndjesë publike në rrjetet sociale për këtë gafë të pabesueshme e cila bëri xhiron e rrjetit.