Vllaznia U-17 ka zhvilluar paraditën e sotme ndeshjen e javës së tretë të kampionatit ndaj Tiranës U-17 dhe shkodranët kanë fituar me rezultatin 3-2 në ndeshjen e luajtur në fushën sportive “Reshit Rusi”. Të tre golat për kuqeblutë i ka shënuar Gerald Kubazi në pjesën e parë dhe në pjesën e dytë.
Goli i dytë dhe i tretë të shënuar prej tij, ishin shumë të bukur për nga mënyra e realizimit. Megjithatë, kush është autori i tripletës së sotme që i dha fitoren Vllaznisë U-17 ndaj Tiranës?
Futbollisti Gerald Kubazi ka lindur në Shkodër dhe prindërit e tij janë po nga ky qytet, teksa lidhja e tij me Shkodrën dhe me ngjyrat kuqeblu duket e fortë dhe jo më kot, ka zgjedhur të luajë për Akademinë Vllaznia.
Kubazi është një futbollist i Akademisë kuqeblu, teksa edhe pse është vetëm 16-vjeç, atë pak nga pak kanë filluar ta cilësojnë si e ardhmja e Vllaznisë. Geraldi ka lindur më 17-gusht të vitit 2006 dhe me futbollin do të lidhej që në moshën 6-vjeçare, duke u bërë pjesë e Akademisë Rozafa, me të cilën do të luante shtatë vite. Më pas, kalon tek Akademia e Vllaznisë, teksa është pjesë e saj prej tre vitesh.
Kubazi luan në dy pozicione, atë të sulmuesit të mirëfilltë dhe si sulmues i krahut të djathtë. Ai mban fanellën me numrin 10 dhe ka afeksion pozitiv me portën. Në sezonin e fundit, duke luajtur me Vllaznia U-15, ka shënuar plot 15-gola.
E ardhmja e këtij futbollisti duket e sigurtë dhe me siguri që brenda pak vitesh, do të dëgjojmë të flitet shumë për këtë lojtar. Ai është një futbollist shumë interesant, por në vazhdim i duhet të punojë edhe më shumë për të shkuar në ekipin e parë, teksa rasti më i freskët së fundmi është i mesfushorit Rejan Alivoda, që erdhi nga Akademia dhe që në sezonin e tij të parë me ekipin e parë të Vllaznisë, po luan si titullar.
Gerald Kubazi konsiderohet pothuajse nga të gjithë specialistët e futbollit shkodran një futbollist me shumë të ardhme dhe fakti që po spikat mbi të gjitha tek Akademia e Vllaznisë, do të thotë shumë për të ardhmen e tij.
Maringlen ZHIVANI