Nga Maringlen ZHIVANI

I është dhënë lamtumira e fundit në moshën 91-vjeçare një prej emrave të shquar të historisë së volejbollit shkodran dhe atij shqiptar, Vehbi Sulejmani, i ndarë nga jeta një ditë më parë.

Në homazhet në nderim të tij që u mbajtën në ambientet e Prefekturës së Qarkut Shkodër, morën pjesë shumë ish-volejbollistë shkodranë dhe figura të sportit, ndërsa çuditërisht munguan pjesëtarët e Federatës Shqiptare të Volejbollit, si edhe presidenti i saj Erlind Pëllumbi.

Për kontributin në vite pranë volejbollit shkodran, përveç vlerësimit si “trajneri i shekullit”, Vehbi Sulejmani është nderuar edhe me tituj të tjerë nga Këshilli Bashkiak i Shkodrës dhe nga Federata Shqiptare e Volejbollit.

Gazeta “Shkodra Sport” i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Sulejmani për humbjen e njeriut të saj të dashur dhe poashtu edhe komunitetit të volejbollit shkodran, për ndarjen nga jeta të njërit prej emrave të shquar të historisë së këtij sporti.