Dje u nda nga jeta trajneri i mirënjohur, Skënder Kurti që pas një beteje shumë ditore me Coronavirusin, nuk arriti dot ta mposhtte. Mesazhet e ngushëllimit ishin të shumta për këtë lajm të zi që erdhi në këto ditë të vështira që po përjeton e gjithë bota.
Intervista e fundit e 61-vjeçarit dhënë për gazetarin Gaspër Marku ka qenë muaj më parë në një turne të organizuar në Shkodër. Në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”, Kurti deklaroi se kishte marrë me vete vetëm boksierët e rinj për të promovuar talentin e tyre.
“Faktikisht unë kam ardhur me elementët e ri. Të gjithë titullarët nuk ndodhen sot në këtë aktivietet. U nisa me idenë që boksierët e prespektivës, ata që janë të rinj dhe shumë cilësorë sot po kalojnë një provë shumë të mirë.
Unë s’kam ardhur për titull, por shoh që boksierët e Tiranës janë shumë të vendosur, po punojnë shumë mirë, po bëjnë ndeshje me rivalitet. Po bindin dhe publikun që janë boksierë shumë të përgatitur. Janë 2 që pretendojnë, akoma nuk është vendosur.
Sot është dita e parë. Kam rival Vllazninë që është ekipi më i përgatitur që ka dy finalista kampionë. Megjithatë ia lëmë aktivitetit. Deri ditën e mërkurë do të vendoset gjithçka. Ne kemi ardhur pretendentë, por sa realizohet do ta shohim”, deklaronte i ndjeri./newsport/