Pas publikimit të listës nga trajneri Kreshnik Krepi, Kombëtarja shqiptare U-19 për vajza ka nisur grumbullimin në kuadër të ndeshjeve kualifikues të Kampionatit Europian 2024 për këtë grup-moshë. Vajzat kuqezi prej të dielës po zhvillojnë seancat stërvitore në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” ndërsa ditën e nesërme do të udhëtojnë drejt Zvicrës.
Në këtë grumbullim, trajneri Krepi ka ftuar 20 futbolliste, teksa 17 prej tyre aktivizohen në kampionatin shqiptar. Jehona Coka, futbolliste e Vllaznisë tregon për fshf.org objektivat e ekipit Kombëtar U-19. Coka shprehet se brenda ekipi ka elemente cilësore dhe atmosfera është shumë e mirë.
“Atmosfera në grup është shumë pozitive dhe vajzat e reja që janë bashkuar me ekipit këtë vit janë përshtatur shumë mirë me grupin. Gjithashtu edhe seleksionimet treditore përpara grumbullimit na ndihmuan që të lidheshim sa më shumë me njëra – tjetrën dhe të njihnim akoma më mirë cilësitë e njëra – tjetrës në fushë.
Në këtë grup ka elemente shumë cilësore dhe vajza që premtojnë shumë për të ardhmen”, – shprehet Coka, e cila tregon edhe objektivat në këtë grumbullim dhe synimin për të ardhmen
“Shpresoj që edhe në këtë grumbullim secila të shpalosi cilësitë e saj më të mira dhe të ndihmojmë ekipin për të arritur kualifikimin në Ligën A. Objektivi i ekipit tonë është ngjitja në Ligën A.
Jemi në grup me Qipron, Lituaninë dhe Zvicrën, janë kundërshtarë të kalueshëm për ne, nuk dua të bëj premtime të parakohshme, por me këtë grup që kemi shpresoj të marrim rezultate pozitive. Shpresoj ta ndihmoj sa më shumë ekipin në këto tre ndeshje, dhe të vazhdojë rrugëtimin tim drejt ekipit A” – përfundon Jehona Coka.