Nga Gjergj KOLA
Ka lindur në Greqi dhe është rritur në këtë vend ku ka jetuar deri në moshën 8 vjeçare. Më pas, familja e tij me origjinë nga Shkodra vendosi të nisë një jetë të re në Suedinë e largët, vend ku jeton prej pak më shumë se 7 vitesh. Për futbollistin Ermal Ymeri megjithatë gjithmonë ëndrra e madhe ka qenë që një ditë të luajë për kombëtaren shqiptare.
Dhe javën e kaluar kjo ëndërr iu bë realitet sepse veshi për herë të parë fanellën kuqezi duke luajtur në dy ndeshjet miqësore që Shqipëria U16 luajti ndaj Hungarisë. Ndoshta performanca e tij nuk ka qenë më e mira dhe kjo për shumë arsye, por Ermali është i bindur se ka shumë më tepër për të dhënë.
Këtë gjë ai e ka thënë edhe në një intervistë ekskluzive të dhënë për gazetën “Shkodra Sport” përpara nisjes bashkë me babain e tij- Mentorin, drejt Suedisë për t’iu bashkuar pjesës tjetër të familjes.
Futbollisti me origjinë nga Shkodra luan atje me Akademinë më të madhe të këtij vendi, drejtuesit e të cilës e vlerësojnë për talentin që ai zotëron dhe ëndrra e madhe e Ermal Ymerit është që në të ardhmen të luajë në njërën prej “Top 5” më të mira të Europës dhe njëkohësisht edhe me kombëtaren e të rriturve të Shqipërisë.
Të plotë prononcimin e këtij futbollisti mund ta ndiqni në kanalin zyrtar të gazetës “Shkodra Sport” në youtube duke klikuar në linkun e mëposhtëm: