Pasditën e djeshme në Shkodër është zhvilluar një aktivitet mjaft interesant në sportin e atletikës. Kështu, bëhet fjalë pikërisht për Kupën e Nderimit të Figurave dhe sivjet, kjo Kupë është organizuar në nderim të dy figurave të shquara të atletikës shkodrane dhe asaj shqiptare, Gëzim Mema dhe Vildan Tufi.

Në këtë aktivitet të organizuar nga Shoqata e Atletikës Vllaznia, me mbështetjen e Bashkisë Shkodër dhe të FSHA, kanë marrë pjesë atletet më të mirë të vendit, por edhe të ftuar nga Kosova.

Në një prononcim për mediat në lidhje me Kupën e organizuar në nderim të të atit, ka folur edhe vajza e ish-trajnerit Vildan Tufi, Kleida Tufi. Kjo e fundit u shpreh se ajo vetë dhe familja e saj janë shumë të emocionuar për një organizim të tillë, ndërsa theksoi se sa herë vjen në pistën e stadiumit “Loro Boriçi” i duket sikur e shikon babain e saj çdokund rreth e rrotull atij vendi.

“Shumë emocione për ne në këtë organizim. Më duket se babain po e shoh çdokund dhe më duket sikur po e ndiej atë bilbilin që i binte. Unë jam shumë e emocionuar dhe desha të falënderoj FSHA dhe Bashkinë Shkodër për këtë organizim. Figura të tilla vlejnë jo vetëm të nderohen për kontributin që këto kanë dhënë, por që të jenë si një model frymëzimi, qoftë për trajnerët e rinj, qoftë për brezat që po rriten në këto stadiume që të japin rezultate sa më të mira.

Faktikisht, vajza ime është një talent, sidomos tek kërcimet së gjati, siç thoshte edhe babai im Vildan Tufi, Faktikisht, ajo ka që tre vite që dominon garën për moshat U-13. Rezultatet që ajo ka arritur trajnerët thonë që është rezultat shumë i mirë për moshën e saj. Ajo akoma nuk ka mbushur 12-vjeçe dhe ka tre vite që dominon pra në garat e ndryshme. Vajza ime është kampione kombëtare në U-13 për kërcimet së gjati.

Unë e kam shprehur vazhdimisht edhe nëpër rrjete sociale vazhdimisht që duhet të bëhet një studim për të parë çfarë ka Shkodra. Ajrin, ujin, malin, detin, natyra. Unë nuk di ta them diçka të saktë në lidhje me një gjë të tillë, por që Shkodra vazhdon e prodhon në çdo fushë. Shkodra prodhon dhe do të prodhojë gjithmonë”,-mbylli prononcimin e saj, vajza e ish-trajnerit Vildan Tufi, Kleida Tufi.
Maringlen ZHIVANI