Të mbrosh ngjyrat e kombëtares është ëndrra e çdo lojtari. Për rrjedhojë, çdo situatë e lidhur me të shkakton emocione të forta, deri sa të arrish të përlotesh pavarësisht fitores. Kjo i ka ndodhur Sadio Mane.
Lojtari i Liverpool, në përfundim të ndeshjes së fituar nga Senegali i tij kundër Guinesë Ekuatoriale, është lëshuar në fushë dhe ka shpërthyer në lot. Shokët e skuadrës kanë kërkuar ta ngushëllojnë dhe dukej se ia kishin dalë, por pak momente më pas ai ka shpërthyer përsëri në lot, duke mbuluar fytyrën me fanellë.
Cili ka qenë shkaku i këtij reagimi? Në fillim është menduar për një dëmtim të mundshëm, hipotezë kjo që është përgënjeshtruar. Sipas mediave vendase, lotët e 26-vjeçarit janë shkaktuar nga kritikat e tifozëve.
Një rast i humbur në pjesën e dytë është shoqëruar me vërshëllima nga tifozët senegalezë, të zhgënjyer nga fakti se ylli i tyre nuk përsërit dot me kombëtaren paraqitjet që bën me Liverpool.
Një episod që e ka bërë Mane të dëshpërohet. As fitorja dhe sigurimi i kualifikimit në Kupën e Afrikës nuk ka arritur ta ngushëllojë, por do të ketë mundësinë të marrë revanshin e tij me “Të Kuqtë”, duke filluar nga ndeshja e javës së ardhshme kundër Watford-it./telesport/