Kampionati i moshave për të rinj është mjaft interesant dhe ka shumë përballje të forta.

Klubet e Superiores mund të gjejnë mjaft elementë që mund t’u bëjnë punë për të ardhmen, ndërkohë që ka edhe klube që një pjesë të tyre që tani i kanë bërë pjesë të ekipit të parë dhe në ndeshjen luajnë me ekipet U19.

Shkodra është një “fidanishte” sa i takon elementëve të rinj dhe vit pas viti dalin lojtarë.

Sigurisht ka ndonjë sezon ku lojtarët nuk i bashkëngjiten dot Vllaznisë, por gjejnë strehim në ekipe të tjera dhe tregojnë vlerat.

Gjithsesi nuk është kjo tema, pasi dëshirojmë t’iu sjellim në plan të parë një gol të realizuar javën e shkuar në ndeshjen AAS-Partizani.

Por kush është AAS? Albanian Ajax School është një ekip privat në qytetin e Shkodrës, një ndër ta, pasi në qytetin verior ka shumë ekipe të tilla.

Këtë sezon debutojnë në Kategorinë Superiore dhe po bëjnë një kampionat të mirë me 19-vjeçarët.

Sikurse thamë, javën e shkuar u ndeshën me Partizanin, që kryesonte kampionatin, por në Shkodër u mposht me rezultatin 2-1 dhe e lëshoi kreun.

Autor i dy golave në atë takim për AAS ishte futbollisti Mehdi Çoba, ndërkohë që njërin prej tyre duhet ta kenë zili jo vetëm në Shqipëri, por edhe më gjerë.

Nëse do kishte ndodhur në ndonjë kampionat tjetër, me siguri do kishte bërë xhiron e botës. Gjithsesi, edhe pse me vonesë, tashmë që faqja zyrtare e AAS e ka lançuar videon e golit, ne po ua servirim golin e Çobës realizuar direkt nga goditja e këndit.

Në vendin tonë edhe në futbollin profesionist do të lakmohej një ekzekutim i tillë.

P.S Se mos na thotë ndonjëri, shikoni mos vija fundore është e shtrembër. Vetëm shijoni golin dhe përgëzoni djalin. Mehdi, se mos “të rriten veshët”, vetëm punë djalosh! /EDS/