Vllaznia e femrave ka realizuar një arritje historike pasditën e sotme, siç janë grupet e Champions League. Shkodranet fituan 2-1 në ndeshjen e dytë ndaj ukrainaseve të Vorskla në “play-off” dhe kjo fitore solli edhe kualifikimin në grupe.

Për këtë, pas ndeshjes në një prononcim për mediat, ka folur edhe futbollistja e shkodraneve, Megi Doçi. Ajo deklaroi se ishte një kualifikim i rëndësishëm për të gjithë ekipin e Vllaznisë, por edhe më gjërë. Doçi u shpreh se ky është një moment shumë historik, ndërsa theksoi se është shpërblyer puna e gjatë gjithë viteve të fundit.

“Kualifikim i rëndësishëm për të gjithë ne, për të gjitha vajzat moment historik. Histori për stafin teknik dhe stafin drejtues, pasi u shpërblye gjithë ajo punë që kemi bërë gjatë gjithë viteve, sepse kemi shpresuar dhe kemi luajtur shumë për të ardhur në këto nivele.

E di që është pritur shumë edhe nga qyteti, nga mediat, nga njerëzit dhe mendoj se është një krenari për ne. Kjo është një ëndërr e realizuar, sepse kemi punuar gjatë gjithë kohës dhe kemi derdhur shumë djersë dhe sakrificë, por gjithçka u shpërblye në fund.

Sigurisht që, është kënaqësi të luash në këtë stadium. Të luash përpara këtyre tifozëve, është gjithmonë kënaqësi dhe emocion. I falënderoj të gjithë tifozët për praninë e tyre, ishin të mrekullueshëm sot.

Grupet? Të them të drejtën, është akoma herët për të premtuar gjëra, sepse nuk është hedhur shorti. Gjithsesi, do të shikojmë dhe pastaj mund të shprehim diçka”,-mbylli prononcimin e saj, sulmuesja e Vllaznisë, Megi Doçi.
Maringlen ZHIVANI