Pas tre vitesh mungesë është rikthyer Kupa “Agim Tafili” në çiklizëm. Ky aktivitet do të organizohet duke nisur nga dita e nesërme nga Bashkia Shkodër në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Çiklizmit.

Në fakt, ka qenë iniciativa e përgjegjësit të sportit në Bashkinë e Shkodrës, Alban Neziri, që në bashkëpunim me presidentin e FSHÇ, Skënder Anxhaku, e rikthyen këtë aktivitet në nderim të legjendës së këtij sporti. Pikërisht, vetë Neziri në një intervistë për “Shkodra Sport” u shpreh i emocionuar për rikthimin e kësaj Kupe në Shkodër pas disa vitesh, ndërsa theksoi se trajneri Leonat Kola ka bërë mjaft sakrifica të mëdha për këtë sport.

“Të them të drejtën jam shumë i emocionuar, sepse pas katër viteve rikthejmë Kupën e legjendës së çiklizmit shqiptar, “Agim Tafili”. Unë dua të falënderoj jashtëzakonisht trajnerin Leonat Kola për këtë iniciativë shumë të madhe, sepse duhen pasur parasysh sakrificat e mëdha që ka ky sport.

Eshtë sporti me vështirësinë më të lartë dhe i falënderoj edhe në emër të Bashkisë Shkodër edhe këto djem të rinj, që nuk kanë humbur gjurmët e legjendave të çiklizmit shqiptar. Unë u premtoj që çdo vit ne do të bëjmë nga një Kupë për legjendat, sepse Shkodra i ka me qindra këto njerëz që kanë dhënë çdo gjë për çiklizmin shqiptar.

Nesër dhe pasnesër besoj se do të jetë një garë jashtëzakonisht e bukur, ku këto djem do të na nderojnë dhe do të na bëjnë krenar jo vetëm Shkodrën, por të gjithë Shqipërinë. Për çdo vit, kupa e legjendave në çiklizëm do të jenë të pranishme në muajin maj dhe përveç këtyre 70-sportistëve elitarë që kemi, jam i bindur që vitet tjera do të jenë të ftuar nga të gjithë Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Ballkani për të marrë pjesë.

Unë dua të falënderoj edhe presidentin e çiklizmit shqiptar Anxhaku, sepse ka një kënaqësi shumë të madhe për Shkodrën dhe jam i bindur se bashkëpunimi do të jetë shumë i frytshëm, që këtyre djemve t’u jepet mbështetja maksimale, sepse siç thashë më përpara është një sport jashtëzakonisht me rrezikshmëri shumë të lartë, ku garohet në rrugë. Ju e dini mjaft mirë që ne këtu nuk kemi kushte teknike për të bërë një garë të tillë”,-mbylli prononcimin e tij për “Shkodra Sport”, drejtori i sporteve në Bashkinë e Shkodrës, Alban Neziri.
Maringlen ZHIVANI