Nga Endri ÇINARI
Ishte një nga protagonistët e ndeshjes Vllaznia – Teuta ditën e djeshme në kampionatin U-19. Aris Ara, një nga talentet premtues të shkodranëve shënoi në fitoren 2-0 ndaj ekipit durrsak. Për “Shkodra Sport” ai ka folur për golin. Sulmuesi ndalet edhe tek ëndrra për të luajtur me Vllazninë e po ashtu objektivat e këtij sezoni.
-Ara, një fitore e rëndësishme përballë Teutës apo jo?
Patjetër që po sepse luanim në Shkodër dhe ne duhet të jemi gjithmonë fitues në fushën tonë. Shpresoj që tani të kemi vetëm fitore nga ndeshja në ndeshje dhe të jemi në krye të renditjes.
-Sa i gëzuar je për golin e shënuar?
Golat janë të rëndësishëm për sulmuesit dhe dua të shënoj sa më shumë. Por e rëndësishme është se skuadra fitoi dhe ka më vlerë kur ekipi merr pikët e plota dhe ti ndihmon me golat e tu.
-Ndonjë dedikim për golin?
Familjes sime në veçanti që janë një mbështetje e madhe. Por edhe shokëve dhe trajnerëve të ekipit sepse gjithçka bëhet bashkë.
-Kur do e shohim Aren tek ekipi i parë?
Shpresoj sa më shpejt, unë po punoj fort çdo ditë që të përmirësohem dhe të jem gati për ekipin e parë. Vllaznia është ëndrra e të gjithëve që luajnë futboll në Shkodër.
-Do jetë kampione Vllaznia U-19 këtë sezon?
Trajnerët dhe lojtarët po japin maksimumin. Kemi pasur edhe mungesa këtë periudhë dhe besoj kur grupi do jetë i plotë do jemi më të fortë. Prandaj them dhe kam besim se mund të ia dalim mbanë në fundin e kampionatit./www.shkodrasport.com/