Çudirat që vijnë nga futbolli turk, duken se nuk kanë së përfunduari. Pasi është realizuar transferimi i parë nëpërmjet bitkonit në futbollin turk, një monedhë kjo që njihet vetëm virtualisht, këtë herë në Kupë ka vend edhe për një “falje” të penalltisë.

Ndeshja mes Giresunsporit dhe Fenerbaçes përfundoi me fitoren e miqve në rezultatin 1-2. Por kulmi i kësaj ndeshje, erdhi në minutën e 53, teksa futbollisti vendas humbi një penallti.

Dodo priti pafundësisht gjatë për ekzekutimin e penalltisë, ku në fund rezultoi një dështim aq i madh, saqë ka krijuar përshtypjen e “faljes” së saj.

Rezultati i takimit në atë moment ishte në shifrat 0-1 për ekipin e Fenerbaçes dhe finalizimi nga pika e bardhë, do t’i jepte mundësinë vendasve për të rikthyer baraspeshën në fushën e lojës.

Dodo arriti të krijonte një ndarje të tifozëve, mes atyre që e konsideruan këtë gabim si një dështim personal të futbollistit, por pa harruar edhe pjesën tjetër që e quan këtë “dështim” të vullnetshëm. Gjithsesi ekzekutimi i mesfushorit ngelet për t’u harruar sa më parë./vipsport/
https://www.youtube.com/watch?time_continue=4&v=prAGYoaLZfo