Stadiumi “Zeqir Ymeri” nuk i plotëson më kushtet për të luajtur në Kategorinë Superiore dhe verilindorët pritet që të luajnë sezonin e ardhshëm në stadium tjetër, pasi punimet për të plotësuar detyrat e lënë nga Federata Shqiptare e Futbollit zor se do të bëhen.

Gjithsesi nuk është se po rrihet duarkryq, pasi plani është për të ndërtuar një stadium të ri që të plotësojë kushtet për të luajtur edhe në kupat e Europës.

Ky është një premtim i hershëm i presidentit Safet Gjici, i cili ka njoftuar se është bërë projekti dhe pritet t’i paraqitet FSHF-së dhe qeverisë Shqiptare.

“Ky është projekti i stadiumit te ri “Zeqir Ymeri” të Kukësit. Pas projektimit të bërë nga arkitekti Ardian Mehqemeja dhe studioja arkitekturore AVE – CONSULTING, ky stadium do të jetë sipas standardeve të UEFA-as, ku do mund të realizohen ndeshje të Europa League dhe Champions League!

Ky projekt që kap vlerën e 5 milionë eurove, do të paraqitet në qeveri dhe Federatën Shqiptare të Futbollit. Punimet për ndërtimin e tij do të nisin, ashtu sicc është premtuar”, shkruan Safet Gjici në faqen e tij zyrtare.