Ekipi ukrainas i Vorskla Kharkiv dhe Vllaznia janë ndarë në barazim 1-1 në ndeshjen e parë të raundit të 1/32 të finaleve të UEFA Women Champions League. Një ndeshje, e cila është luajtur në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër, por në fakt konsiderohej si transfertë për ekipin shkodran edhe pse luajti në fushën e tij, pasi kështu është verdikti i shortit të hedhur.

Në fakt, sfida ishte shumë interesante, por gjithçka do të vendoset në ndeshjen e kthimit po në stadiumin “Loro Boriçi” javën e ardhshme. Ukrainasit treguan që janë një ekip i fortë, por nga ana tjetër edhe shkodranet do të tentojnë deri në fund për të marrë një rezultat pozitiv, që do t’i kualifikonte ata për në grupet e Champions League.

Pas kësaj ndeshjeje, presidenti i ekipit të Vllaznisë në futboll për femra, Lazër Matija, është shprehur se ishte një ndeshje e barabartë, ndërsa theksoi se ekipi i tij edhe mund të kishte fituar me pak kujdes në fushën e lojës.

“Mendoj që ishte një ndeshje e fortë, një ndeshje e barabartë. Rezultati mund të ishte edhe fitore për ne, ashtu si mori loja, por futbolli i ka të gjitha rezultatet dhe një nga këto rezultate ishte barazimi. Mendoj se ishte rezultat i drejtë për atë që u dha në fushën e lojës, sepse ekipi ukrainas e dominoi totalisht pjesën e parë, ishte superior ndaj nesh. Kishim edhe ne problemet tona të dëmtimeve.

Ndoshta, futbollistet që u futën nga fillimi, nuk ishin ambientuar akoma me ne në stërvitje këto ditë, sepse kanë ardhur vonë, por me kalimin e minutave me zëvendësimin që u bë, ekipi u stabilizua në rreshtim dhe mendoj që edhe cilësia e lojës erdhi në rritje. Në pjesën e dytë, ekipi jonë e tjetërsoi komplet lojën, ku shënuam edhe gol, por kishim edhe raste të tjera.

Ishte diçka pozitive, pasi ekipi reagoi. Kjo besoj që ishte diçka pozitive, sepse përballë kishim një ekip shumë të mirë, ekipin kampion të Ukrainës. Eshtë një ekip që ka pothuajse të gjitha vajzat ukrainase në formacion plus edhe futbolliste të tjera me vlera. Kështu që, nuk ishte ndeshje e kollajshme, por gjithsesi kualifikimi mbetet i hapur, ashtu siç e kishim parashikuar.

Çdo gjë nuk u zgjidh në këtë ndeshje, sepse ekipet ishin të barabarta. Shpresojmë që ndeshjen tjetër të plotësohemi me futbollistet e dëmtuara dhe të kemi performancë më të mirë dhe të pretendojmë kualifikimin. Une njekohesisht dua te falenderoj tifozet e Vllaznise qe sot ishin te mrekullueshem dhe shpresoj qe ne ndeshjen e kthimit te jene edhe me te shumte per te na mbeshtetur”,-tha gjatë prononcimit të tij, presidenti i Vllaznisë në futboll për femra, Lazër Matija.
Maringlen ZHIVANI