Kalimi për të dytën herë në tre vitet e fundit në 32 skuadrat më të mira të Europës padyshim që është një sukses i madh jo vetëm për Vllazninë dhe futbollin e femrave në vendin tonë. Për presidentin e këtij ekipi, ky është një sukses edhe për futbollin shqiptar sepse të konkurrosh në të tilla nivele ndaj ekipeve që janë shumë më lart në financa, organizim e gjëra të tjera, është shumë e vështirë.

Lazer Matija në një intervistë për “Shkodra Sport” pas këtij kualifikimi është shprehur: “Padyshim që kemi përjetuar emocione të mëdha. Vllaznia është ndërtuar në atë mënyrë që e kërkon suksesin deri në fund, falë egos dhe karakterit që kanë pjestaret e saj.

Edhe ndaj Ferencvaroshit luajtëm si të barabartë, e kërkuam deri në fund kualifikimin dhe ja dolëm. Ky besoj se është një sukses për gjithë futbollin shqiptar sepse po e nderojmë atë edhe në arenën ndërkombëtare”.

I pyetur ndërkohë për sfidat e ardhshme me Juventusin, Matija do të shprehej: “Të sjellësh një ekip të madh si Juventusi në Shkodër, këtë po e bën vetëm Vllaznia. Pavarësisht se ekip femrash, por është i njëjti staf, të njëjtit drejtues edhe tek meshkujt edhe tek femrat.

Ne nuk duhet të fluturojmë, por duhet të jemi me këmbë në tokë dhe t’i marrim gjërat shtruar sepse i dimë vlerat e kundërshtarit. Megjithatë, nuk do të kënaqemi vetëm me faktin që po luajmë me Juventusin. Do provojmë edhe më shumë”.

Për më shumë ndiqni të plotë intervistën e dhënë nga presidenti Matija për kanalin e “Shkodra Sport” në youtube: