Më në fund Real Madrid kthehet përsëri te fitorja dhe argëtimi në Kupën e Mbretit. Skuadra e Solarit ka mundur me shifrat 3-0 Leganes, në një duel të dominuar plotësisht ku ra në sy më në fund talenti i brazilianit të afruar me shumë bujë, Vinicius, si dhe debutoi prurja më e re, Brahim Diaz.

Por goli i parë i ndeshjes erdhi nga kapiteni Serxhio Ramos, i cili transformoi saktësisht një penallti në fundin e pjesës së parë dhe arriti shifrën e 100 golave në ndeshje zyrtare në karrierë si profesionist. Një objektiv i rëndësishëm që do ta kishin lakmi shumë futbollistë duke llogaritur se bëhet fjalë për ndeshje të luajtur në La liga dhe me përfaqësuesen e Spanjës.

Më pas, filloi spektakli i Vinicius, i cili fillimisht gjeti Lukas për golin e 2-0 e më pas shënoi vetë të tretin për të vulosur shifrat 3-0 me një goditje spektakolare, para se t’i linte vendin në fushën e lojës afrimit më të fundit të merkatos, Brahim Diaz.

Për Realin, fitorja 3-0 bën më të thjeshtë kalimin në turin tjetër, edhe pse duhet të mendojë për ndeshjen e kthimit. Ndërkohë, surpriza e ditës ishte në duelin mes Zhirona dhe Atletiko Madid, që u mbyll me barazimin 1-1. /vipsport/