A mund të ndëshkohesh me dy kartonë të verdhë për dy ndërhyrje brenda të njëjtit aksion loje dhe të dalësh me të kuq? Po, ndodh rrallë, por ndodh. Shembulli konkret ishte në ndeshjen e sotme të Serisë A mes Kievos dhe Frozinones, me protagonist Marko Kapuanon e ekipit mik.
Në minutën e 58 të ndeshjes, gjyqtari Roki e dërgoi në dhomat e zhveshjes me të kuq, për dy faulle të njëpasnjëshme në të njëjtin aksion loje, ku për secilin meritonte të verdhin. Kapuano fillimisht bëri faull ndaj Birsa në gjysmëfushën kundërshtare, për të cilin u sinjalizua nga gjyqtari se do të ndëshkohej.
Por ndërkohë, “xhaketa e zezë” la lojën në vazhdim dhe pak sekonda më vonë, futbollisti i Frozinones bëri një tjetër ndërhyrje të parregullt, këtë herë ndaj De Paoli.
Gjyqtari i nxori menjëherë lojtarit të kuqin, duke i treguar me gjeste se ishte pasojë e dy të verdhave për faullet që kishte kryer brenda pak sekondash. Rast unik dhe shumë i rrallë, por sot në Serinë A është aplikuar sipas manualit. /vipsport/