Rocco Vata po i bën një mbyllje fantastike vitit 2024, teksa me dy gola dhe 2 asiste në 4 ndeshjet e fundit me ekipin e Watford, po ndihmon atë të mbetet në garën për një nga vendet e kreut në Championship.

Sulmuesi me origjinë nga Shkodra, ka qenë sot protagonist në suksesin 2-1 ndaj Portsmouth, me një gol në shtesë.

Ai u aktivizua në startin e pjesës së dytë, për t’i dhënë një impuls fazës ofensive të skuadrës e cila e shihte veten në disavantazh të një goli pas 45 minutave të para. Një penallti e ekzekutuar nga Kajembe barazoi shifrat, ndërsa sulmet e vendasve nuk reshtën derisa erdhi minuta e 95-të.

Vata shfrytëzoi një grushtim të portierit dhe duke ndjekur aksionin me shpejtësi shtyu topin në rrjetë për të shënuar golin e fitores 2-1 për ekipin e tij, që ngjitet kësisoj në vendin e 6 në renditjen e kategorisë së dytë angleze.