Vushtrria e Samuel Nikajt vazhdon të mos ndalet e të marshojë e sigurtë drejt rikthimit në Superligën e Kosovës. Ajo ka fituar edhe sot ndaj Fushë- Kosovës me rezultatin e ngushtë 1-0 falë golit të shënuar me 11-metërsh në minutën e 87-të të ndeshjes.

Fakti që goli u shënua thuajse në fund dhe për më tepër, kur lajmet që vinin nga Peja flisnin për një humbje të Besës, rivales kryesore të tyre, ka bërë që festa tek ekipi i Vushtrrisë të merrte përmasa të mëdha.

Mjafton të shikoni mënyrën si ka festuar trajneri Samuel Nikaj pas shënimit të golit të fitores dhe e kuptoni qartë rëndësinë e kësaj fitoreje.

Pas fitores së sotme, Vushtrria është ngjitur në kuotën e 60 pikëve duke qenë tashmë e shkëputur tetë pikë nga Besa e Pejës e cila ka 52 pikë. Siç dihet, në Superligë ngjiten direkt dy skuadrat e para, ndërsa e treta dhe e katërta shkojnë në play-off.

Kur kanë mbetur edhe pesë ndeshje deri në fund të kampionatit ekipi i trajnerit shkodran Samuel Nikaj është shumë pranë sigurimit të ngjitjes në Superligë dhe nëse arrihet kjo, Vushtrria do të ishte skuadra e tretë në tre vitet e fundit që nën drejtimin e tij ngjitet në Superligë pas Flamurtarit të Prishtinës dy vjet më parë dhe Kastriotit të Krujës vitin e kaluar.
© shkodrasport.com