Edhe pse vetëm 14 vjeç, por që tani duket qartë se ka parametrat e një futbollisti të së ardhmes. E kemi fjalën për sulmuesin e Vllaznia U-15, Flavio Fusha, futbollisti i cili në ndeshjen e fundit ndaj Akademisë së Futbollit shënoi një supergol.
Ashtu siç shikohet edhe në videon e mëposhtme, goditja e tij ishte shumë mjeshtërore për nga mënyra e ekzekutimit, e cila shkoi direkt në trekëndëshin e majtë të portës. Realisht, të gjithë ata që e kanë parë duke luajtur, kanë evidentuar menjëherë disa veçori që e bëjnë atë një element të perspektivës.
Në fakt, në 10-ndeshjet e deritanishme të Vllaznia U-15, Flavio Fusha është dalluar për lojën cilësore, gjithnjë e më tepër në rritje që ai ka shpalosur me ekipin kuqeblu. Realisht, sulmuesi shkodran konsiderohet si një futbollist i perspektivës për Akademinë Vllaznia, por mbetet për t’u parë vazhdimësia e tij deri në fund të sezonit.
Ndërkohë, në një komunikim për “Shkodra Sport”, edhe trajneri i Vllaznia U-15, Fatjon Hasani tha shkurtimisht disa fjalë dhe një mendim të tij në lidhje me këtë sportist për të mësuar më shumë rreth Flavio Fushës. Trajneri i Vllaznia U-15 u shpreh se kemi të bëjmë me një futbollist që është shumë i përkushtuar në stërvitje, ndërsa theksoi se atij i duhet të vazhdojë të punojë akoma më fort për të ardhmen e tij.
“Kemi të bëjmë me një futbollist që është shumë i përkushtuar në stërvitje, por padyshim që i duhet të vazhdojë të punojë fort akoma. Për mua të gjitha sportistët janë njësoj dhe në vazhdim, ndoshta në fund të sezonit, në bazë edhe të statistikave, do të kemi edhe një opinion më të qartë rreth Flavios, por edhe futbollistëve të tjerë, pasi sulmuesit maten me gola”,-tha për “Shkodra Sport”, trajneri i Vllaznia U-15, Fatjon Hasani.
Maringlen ZHIVANI