Kristian Panuçi deklaroi një natë më parë se ishte tifoz me Romën në përballjen me Interin dhe kishte arsye pse, ndonëse ka veshuri fanellën e të dy skuadrave gjatë karrierës së tij. Trajneri i përfaqësueses shqiptare ka qenë vetë protagonist i një prej ndeshjeve më të ndezura mes dy skuadrave, me gabime gjyqtarësh në favor të zikaltërve, pak a shumë si mbrëmë.

Në fund të asaj ndeshje të nëntorit 2002, të përfunduar 2-2, Panuçi doli nga fusha e lojës duke u zënë me Morfeon, një prej futbollistëve të Interit, ndërsa nuk ngurroi t’u kthehej as gazetarëve të pranishëm. Një koment nga gazetari Bruno Bartolozi, solli edhe reagimin e Panuçit, i cili nuk ngurroi t’i vinte dorën në fytyrë atij, i tërhequr pastaj me forcë nga pjesëtarët e stafit për të evituar ndonjë skandal.

“Kështu kemi frikë se nuk do të arrijmë as në Kupën UEFA”, ishin fjalët e Fabio Kapelos pas asaj ndeshje, duke akuzuara gjyqtarët se ishin kundër Romës, fraza të ngjashme me ato që u dëgjuan një natë më parë nga drejtuesit dhe pjesëtarët e stafit të Romës aktuale.

Megjithatë, asnjëri prej tyre nuk shkoi t’i shfrynte nervat gazetarëve, siç bëri asokohe Panuçi, i cili u kthye në një prej “heronjve” të tifozerisë së Romës dhe që atëherë ka një urrejtje të veçantë për Interin. /vipsport/