Sherri në konferencën për shtyp me një gazetar si ai i djeshmi nuk është gjë e re për Kristian Panuçin, i cili në Itali njihet për karakterin e tij të nxehtë e problematik. Ish-mbrojtësi italian në fakt nuk ka mbajtur shpesh nervat në fushë e lojës e jashtë saj. Në rrjetet sociale qarkullojnë disa video që shfaqin trajnerin aktual të kombëtares shqiptare që përfshihet në mosmarrëveshje me këdo që i del para, me kuptimin e plotë të fjalës.
E bujshme ka qenë ajo në periudhën kur luante me Romën. Asokohe, Panuçi u zu në fushë pas një goli të pësuar me shokun e tij të skuadrës, portierin Doni dhe vetëm ndërhyrja e Mekses i ndau palët nga një përplasje.
Edhe më problematike ishte situata kur u përball me presidentin e Xhenoas, Enriko Preciozi, në parkingun e stadiumit. Panuçi, i cili luante te Parma, nuk pëlqeu se si Xhenoa u tërhoq nga marrëveshja për ta transferuar në merkato. Palët nuk kursyen sharjet ndaj njëri-tjetrit, me Panuçin që arriti deri aty sa thirri “ta këpus kokën”, ndërsa u desh ndërhyrja e forcave të sigurisë të ndante palët.
Ndërkohë, po aq të famshme kanë qenë edhe shpërthimet e tij si trajner, kundër gjyqtarëve apo edhe klubit në momentet kur u vu në diskutim e ardhmja e tij te Ternana.
Edhe si opinionist në studio, nuk kanë munguar polemikat, kur pas në përplasje me Luçiano Spaletin, ky i fundit nuk u kursye me të shara.
Ndaj turfullima e djeshme përballë gazetarëve shqiptarë, thjesht do t’i shtohet koleksionit të trajnerit italian nga kujtimet e tij në vendin tonë. /vipsport/