Bylisi i sezoneve të fundit është duke “gjurmuar” talente. Verën e shkuar ballshiotët afruan shkodranin Eridon Qardaku, lojtarin më të spikatur te moshat e Vllaznisë. Mesfushori me tipare sulmuese është grumbulluar edhe nga Kombëtarja U-21. Në një prononcim për “Panorama Sport” ai flet për këtë periudhë të vështirë dhe atë çfarë po bën në vendlindje. Shtëpinë e ka kthyer në sallë force, ndërsa çdo ditë bën edhe 10 kilometra vrap për të mos humbur formën fizike.
Eridon, me çfarë po merreni në këto ditë karantine?
Jam në Shkodër, pasi klubi na shpërndau dhe nuk do të ketë më stërvitje kolektive. Tashmë presim kur do të fillojmë…
Keni një program specifik të dhënë nga klubi apo stërviteni sipas dëshirës?
Unë ndjek programin që na ka dhënë klubi me një miksim ushtrimesh. Bëj vrap çdo ditë. Që nga shtëpia ime në Shkodër, shkoj deri në kalanë e “Rozafës”. Pra, bëj mbi 10 kilometra çdo ditë në mënyrë që të ruaj formën fizike.
Po me topin ushtroheni…?
Po, edhe me top në terren veçmas me goditje standarte, si dhe ushtrime duke e sajuar vetë bazën didaktike, njësoj si në stërvitje. Por, edhe në shtëpi bëj disa ushtrime force. Nuk e lë që të më ikin ditët kot.
Mund të jeni gati nëse kampionati rifillon në prill?
Po, ia kam bërë hyzmetin. Normalisht mendoj se na duhen edhe dy javë apo diçka më tepër përgatitjet në grup, sepse kjo ndërprerje ishte e papritur. Kush ka vullnet dhe dëshirë, e kap formën.
Cili është mesazhi juaj pas kësaj situatë të pa jetuar më parë?
Po tani, me Zotin para. Ishalla ta kalojmë këtë periudhë sa më shpejt dhe të rikthehet normaliteti. Uroj shëndet për familjen në radhë të parë, shkodranët, shokët dhe miqtë te Bylisi, qytetin e Ballshit ku ndihemi të respektuar, si dhe të gjithë shqiptarët.