Ndeshjet e sotme në “Gold Arena”, aktivitetin që po zhvillohet në Tiranë, kanë parë një përballje spektakolare në duelin për peshën 75 kilogramë mes boksiereve Elsidita Selaj nga Shkodra dhe kosovares Alije Hamiti.

Ndeshja e cila ishte planifikuar të zgjaste 3 raunde, është mbyllur që në raundin e dytë.

Selaj ka dominuar gjatë këtij dueli duke dhënë goditje të njëpasnjëshme në trup dhe në fytyrë. Në raundin e dytë, ajo i dha një goditje shumë të fortë kundërshtarës duke e hedhur në tapet.

Hamiti u ngrit në këmbë dhe u mundua të vazhdonte, por një breshëri goditjesh nga boksierja shkodrane sollën edhe ndërprerjen e ndeshjes dhe dekretuan fitoren e Selajt me KO. /vipsport.al/