Talentet shqiptare që luajnë me ekipet e moshave në Greqi janë të shumtë, prandaj mbështetja që duhet të vijë nga Shqipëria, shkon përtej kontakteve me zyrtarët tanë. Padyshim që një ngrohtësi duhet t’u vijë edhe nga ana e mediave sportive, për t’u mos ndjerë të harruar nga vendi i tyre.
E si mund të mos shkruajmë për mesfushorin shkodran që luan me të rinjtë e Olimpiakos U-17? Bëhet fjalë për Andrea Ndojin, që shkëlqen në fushë nga të gjitha drejtimet. Zotëron fizikun e duhur për t’u përballur me kundërshtarin, shpejtësinë e nevojshme për t’iu shkëputur dhe teknikën e duhur për ta lënë…si një piketë!
Në përgatitjet që po zhvillohen për sezonin e ardhshëm, Ndoj ka arritur t’i shënoj edhe Barcelonës U-17. Ndeshja u luajt gjatë ditës së djeshme, ndërsa goli i talentit shqiptar ishte një kryevepër. Duke i marrë lojtarët zvarrë që nga mesfusha, Ndoj arriti të finalizonte edhe me këmbën e kundërt, për të përmbyllur në mënyrën ideale një aksion personal. /Shqiperia.ch/