Trajneri i Egnatias, Edlir Tetova, ka dhënë një prononcim për mediat ku ka folur rreth situatës që po kalon ekipi, por edhe për pritshmërinë që ka për ndeshjen ndaj Teutës me të cilën ndeshet në takimin e javës së 9-të të Superiores.

“Pushimi na ka bërë mirë për faktin se kemi pasur disa lojtarë të dëmtuar. Kemi rikuperuar Dylis, Fangajn dhe Xhemajlin. Mendoj se grupi është gati me përjashtim të Malotës dhe Aleksit që janë të pezulluar për kartonë.

Teuta është një skuadër që ka marrë 7 pikë në tre ndeshjet e fundit. Por mendoj për ekipin tim, mendoj se kemi marrë një ritëm ndryshe këtë dy javë, por gjithçka do ta shohim në fushën e lojës.

Statistikat me Teutën? Ajo i përket të kaluarës, mendoj se është kampionat i ri, skuadrat kanë filluar të marrin ritmin e tyre dhe mendoj se do të jetë një ndeshje shumë e luftuar.

Ndryshime në formacion? Kanë ardhur çunat nga dëmtimet. Mendoj që Aleksi e Malota janë dy pika shumë të rëndësishme të skuadrës, por mendoj se edhe djemtë që do i zëvendësojnë, janë në ritmin e duhur.

Mendoj se Teuta është ndeshja e fundit e fazës, do i marrim ndeshjet me radhë. Dinamo është një javë më vonë ndaj është mirë të përqendrohemi te kjo ndeshje e pastaj te e javës që vjen.

Veseli? I njohim karakteristikat e lojtarit, sigurisht është një vlerë e shtuar për ekipin tonë, për vetë faktin që është lojtar i Kombëtares dhe ka luajtur në nivelet më të mira në kampionatet europiane. Hap pas hapi, duke parë edhe testet, mendoj se ka nevojë për punë individuale dhe besoj se brenda 5 apo 6 javëve do të jetë i gatshëm për ekipin.

Vendi i parë? Përderisa matematika në lejon, por do varet edhe nga ndeshjet e tjera. I gjithë fokusi është te Teuta, ndaj do të shohim ndeshjen tonë”, tha Tetova.