Egnatia do të presë nesër Partizanin, në një sfidë që pritet të jetë tepër e luftuar. Në prag të kësaj ndeshje, trajneri i rrogozhinasve, Edlir Tetova ka dalë në konferencën e zakonshme për mediat.

“Mendoj që gjendja është e mirë, sigurisht kemi disa mungesa të rëndësishme, Xhemajli prej kartonëve, Guindo është me gjendje gripale, Fernando është rikthyer, mund të ketë minutazh, por pjesa tjetër e grupit është e gatshme.

Shumë ndeshje iu ka rënë lojtarëve kryesore, nuk kemi pasur shumë mundësi për të bërë ndryshime ne formacion, por çunat që janë të gatshëm do të shtrëngojnë dhëmbët për këtë ndeshje. Nuk mendoj hakmarrjen, por duam vazhdimësinë dhe mos humbasim ritmin që kemi pasur këtë vit. Mendoj që shumë e rëndësishme është të jetë fitorja prezente, duhet të jemi më të kujdesshëm në vijim që të mos pësojmë gola. Është një mini “Final Four” pasi ne përballemi me Partizanin dhe Dinamo me Vllazninë dhe sigurisht që kjo përbën një element pasi luajën 4 skuadrat më të mira momentalisht.

Partizani ka strategjitë e veta dhe ne kemi tonat, por gjithsecili punon vetë me klubin e vet. Janë edhe 12 javë nga fundi, na duhet vazhdimësi për të ruajtur këtë formë që kemi për ta pasur më të lehtë në fund. Egnatia e vitit të kaluar kishte një grup prej 2 vitesh që unë e stërvisja, por edhe tani jemi në hapat e duhur për të bërë më të mirën për të rikthyer atë Egnatia. Keqardhje nuk kam se e dimë me çfarë skuadrash kemi pasur të bëjmë në Europë”, përfundoi Tetova.