Kupa e Shqipërisë në çiklizëm, që këtë edicion u zhvillua në qytetin e Korçës, u shoqërua me shumë probleme organizative për ekipin e Vllaznisë. Situata financiare është ai problem kryesor që vazhdon të shoqërojë për të dytin vit me rradhë ekipin e çiklizmit shkodran.
Megjithatë, edhe pse çdo gjë në pjesëmarrje, është bërë e mundur me shpenzime personale, çiklistët e Vllaznisë kanë arritur të bëjnë një përfaqësim dinjitoz në garat dy ditore të zhvilluara në Korçë.
Shqetësimi i situatës financiare është ngritur për “Shkodra Sport” nga ana e trajnerit kuqeblu, Leonat Kola. Në prononcimin për “Shkodra Sport” pas garave të Kupës së Shqipërisë, ai bëri të ditur se një përfaqësim kaq pozitiv nga çiklistët, as ata vetë nuk e prisnin.
Kola u shpreh se çiklistët kanë bërë një sakrificë të madhe në këtë garë, ndërsa theksoi se rezultatet në fund të kësaj gare, ishin të suksesshme për kushtet që merrnin pjesë ata.
“Të them të drejtën, pas shumë largimesh, pas shumë peripecish, të themi një eksod masiv largimi që kishte ekipi i Vllaznisë, arritëm të riorganizohemi dhe të marrim pjesë në një nga aktivitetet më të rëndësishëm të 2022, siç është Kupa e Republikës dhe të them të drejtën, përfaqësimin kaq pozitiv, nuk e prisnim as ne si drejtues, por është puna dhe sakrifica e atyre djemve të rinj, që kanë marrë përsipër ta mbajnë gjallë çiklizmin në Shkodër.
Unë dua t’i falënderoj shumë nga zemra këta çuna, që kanë bërë këtë sakrificë të madhe dhe arritëm të marrim vendin e parë, vendin e dytë dhe vendet e treta. Eshtë një sukses për këto kushte që kemi ardhur ne.
Të them të drejtën, kemi ardhur me kushte skandaloze për të përfaqësuar Shkodrën këtu. Duke filluar qysh te karburanti dhe baza materiale, të gjitha janë shpenzime private dhe të vish në Korçë e ta mendosh vetëm karburantin, është një shumë goxha e madhe për buxhetin e shoqatës tonë të çiklizmit.
Shpresojmë dhe qëndrojmë me shpresën që Bashkia e Shkodrës, të na ndihmojë, sepse që nga 2021, ekipi i çiklizmit nuk ka marrë asnjë liter naftë nga Bashkia e Shkodrës. I bëj edhe një thirrje kryetarit të Bashkisë, z. Bardh Spahia, ta rishikojnë këtë qëndrimin e tyre, sepse me këto kushte, të them të drejtën po i vjen fundi çiklizmit shkodran.
Nafta është e domosdoshme në sportin e çiklizmit, pasi sikurse është biçikleta, është edhe nafta e domsdoshme për shoqërimin e sportistëve, duke parë se është një sport i rrezikshëm, një sport i rëndësisë së veçantë.
Ne aktualisht në këtë garë, morëm pjesë me katër sportistë, dy elitë dhe dy kadet. Pas shumë vështirësive, siç e thashë edhe më lart, arritëm të marrim vendin e parë për t’u ngjitur në podium. Jemi mëse të kënaqur me sakrificën që kanë bërë, duke parë që ekipet tjera vijnë një nata përpara, ne kemi ardhur direkt nga Shkodra. Kemi marrë direkt pjesë në garë. Të bësh 5-6 orë rrugë, të vish dhe të bësh edhe 120-km garë, është një sakrificë e jashtëzakonshme.
Dua t’i falënderoj përzemërsisht gjithë çunat për sakrificën që kanë bërë në këtë aktivitet”,-mbylli prononcimin e tij për “Shkodra Sport”, trajneri i çiklizmit të Vllaznisë, Leonat Kola.
Maringlen ZHIVANI