Një ngjarje e komentuar aq shumë përpara pak ditësh në Botërorin e Rusisë, ishte momenti kur futbollisti i Anglisë, Tripier vendosi të mos festonte golin e Herri Kejn ndaj Tunizisë duke qëndruar i vetëm në fushën e lojës.
Media të ndryshme sportive e komentuan këtë si një vendim të marrë nga ana e anglezit, për të mos pësuar gol në mënyrë të menjëhershme, pasi nëse edhe Tripier do të dilte duke festuar golin jashtë vijave kufizuese, atëherë Tunizia kishte të drejtën të niste menjëherë lojën.
Këtë gjë e provoi Panamaja pas ekzekutimit të penalltisë të Heri Kejn, teksa të gjithë futbollistët dolën jashtë vijave kufizuese të festonin me sulmuesin e anglezëve.
Futbollistët e Panamasë shkuan deri në zonën e portierit, por ishte gjyqtari i takimit ai që sinjalizoi që loja nuk kishte filluar.
Tashmë janë mediat sportive italiane ato të cilët theksojnë faktin se pavarësisht spekulimeve të ndryshme në ditët e fundit, loja duhet të nisë vetëm kur dy ekipet të jenë të vendosur në gjysmëfushën e tyre dhe në çdo rast tjetër, gjyqtari nuk mundet të nis lojën normalisht.