Vllaznia e femrave ka bërë detyrën duke e mbyllur me fitore kampionatin e rregullt dhe duke siguruar vendin e parë të renditjes në prag të ndeshjeve të fazës “Final 4”. Pasditen e sotme ajo ka luajtur në “Reshit Rusi” ndaj Kinostudios ndeshjen e javës së fundit të fazës së dytë duke fituar me rezultatin e thellë 9-0.
Vajzat e drejtuara nga trajneri Nikolin Leka nuk kanë hasur në asnjë rezistencë nga kundërshtari dhe si rrjedhojë kanë arritur të marrin një fitore në shifra të thella dhe madje ato mund të kishin shënuar edhe më shumë sesa 9 gola.
Ka qenë mesfushorja Gresa Berisha që do të shënonte golin e parë në minutën e 6-të, për t’i lënë më pas vendin shënimit të gjashtë golave të tjerë në pjesën e parë të ndeshjes të cilët kishin për autore futbollistet Risa Yamada, Klaudia Borci, Luçije Gjini (2), Arbiona Bajraktari dhe Fortesa Berisha.
Në këtë mënyrë pjesa e parë u mbyll me rezultatin 7-0 ndërsa në të dytën Vllaznia do të shënonte edhe dy gola të tjerë nga Fortesa Berisha dhe Esi Lufo. Përfundimisht 9-0 dhe skuadra shkodrane merr një tjetër fitore që e rendit atë në vendin e parë në tabelën e klasifikimit pas përfundimit të kampionatit të rregullt.
Pas 18 ndeshjesh kampionat, Vllaznia ka arritur të grumbullojë 49 pikë, me 16 fitore, 1 barazim ndaj Apolonisë dhe 1 humbje në tavolinë në ndeshjen ndaj Tiranës, ndërkohë që golaverazhi i saj është 135-4.
Kampionet në fuqi të vendit tashmë janë në pritje të shortit për të mësuar emrin e kundërshtarit me të cilin do të ndeshen në gjysmëfinalen e “Final 4”. E sigurtë është që ajo do të ndeshet me njërën prej dy skuadrave të kryeqytetit, Tiranën ose Partizanin./shkodrasport.com/