Gjergj KOLA
Vijnë basketbollistët malazezë Gavriniq e Pajoviç dhe kroati Petriç
Ekipi i Vllaznisë në basketboll për meshkuj është blinduar me lojtarë cilësorë në prag të pjesmarrjes së tij n Ligën Ballkanike. Ditët e fundit me të në stërvitje janë bashkuar edhe dy basketbollistë malazezë dhe një kroat të cilët e kanë rritur shumë forcën e kësaj skuadre. Bëhet fjalë për malazezin Nemanja Gavriniq dhe malazezi tjetër Millosh Pajoviç. Të dy ata kanë një gjatësi mbi 2 metra dhe e kanë shtuar shumë forcën e kuqebluve në lojën poshtë tabelës. Përveç tyre, me ekipin është bashkuar dhe kroat me origjinë bosnjake Ivica Petriç. Ata të tre janë prej disa ditësh në stërvitje dhe e kanë kaluar provën e stafit drejtues. Kjo do të thotë se brenda dy ditësh, ata do të firmosin kontratat me presidentin e këtij ekipi Sokol Dibra. Trajneri Bledar Gjeçaj është shumë i kënaqur me ardhjen e këtyre sportistëve sepse janë lojtarë cilësorë dhe tashmë me to Vllaznia është më e fortë. Përveç tyre me skuadrën është duke u stërvitur edhe shkodrani Erjon Llazani i cili sezonet e fundit ka qenë pjesë e ekipit të Kamzës. Por nëse kanë ardhur këto sportistë, ka patur edhe largime teksa organizatori Robert Shestani është duke kërkuar një ekip tjetër për të vazhduar karrierën e tij. Gjithsesi me afrimet e lojtarëve të huaj, Vllaznia tashmë duket në rregull sa i takon organikës së saj për të marrë pjesë në ndeshjet e Ligës Ballkanike. Këto të fundit siç dihet nisin më 14 tetor me ndeshjen e parë që do të luhet në Kosovë me kampionen e këtij vendi Sigal Prishtinën.