Vendimi për të prishur fushën sportive në Laprakë, ndër të fundit që ka mbetur në qytetin e Tiranës, ka nxjerrë sot në protestë banorët e lagjes së kryeqytetit.
Prej disa muajsh ka debat nëse kjo fushë duhej prishur për të ndërtuar pallate, pasi kishte një pronar të tokës që kishte vendosur ndryshimin destinacionit, por sot situata ka përshkallëzuar pasi fadromat u bënë gati të ndërhynin për të prishur terrenin sportiv.
Për këtë arsye, banorët kanë dalë në protestë për të mos lejuar prishjen e kësaj fushe, ndër më të vjetrat në kryeqytet, ku çdo pasdite bëjnë stërvitje me dhjetëra ekipe fëmijësh, por shfrytëzohet njëkohësisht edhe nga më të rriturit për stërvitje e atletikë.
“Kam rreth 100 fëmijë që i stërvit këtu. Nuk na kanë premtuar se do të bëjnë fushë të re. U bë një vit që i ka dal pronari, por problemi është se nuk ka hapësira të tjera publike.
Kjo është pasuria më e madhe që na ka mbetur. Janë rreth 250 fëmijë që stërviten thuajse çdo ditë, pastaj janë prindër që dalin bëjnë ecje, bëjnë vrap.
Janë pleqtë që dalin çdo ditë këtu”, u shpreh për Fax News një nga trajnerët e ekipeve të Laprakës që stërvit çdo pasdite fëmijët në atë terren sportiv.
Për momentin, banorët kanë ndaluar ekzekutimin e vendimit nga Përmbarimi, duke bllokuar fillimin e punimeve për prishjen e fushës. /vipsport/