Elbasani është duke u dhënë dorën e fundit përgatitjeve për ndeshjen e fundjavës me Turbinën. Një sfidë jetike për verdheblutë, pasi vetëm fitorja i mban gjallë shpresat për mbijetesë duke parakaluar Flamurtarin në renditje.

Për fat të mirë, tekniku Anxhelo Suta e ka të plotë grupin e futbollistëve në këtë sfidë dhe do të hedhë në fushë lojtarët më në formë.

Mirëpo, si gjithnjë, përpara një ndeshjeje shtëpie, 48 orë para kësaj sfide në Elbasan nuk e dinë ende se ku do të luajnë, pasi në “Elbasan Arena” i janë mbyllur përfundimisht dyert për këtë sezon.

Opsioni më i mundshëm duket stadiumi i Librazhdit, ashtu si edhe ai i Peqinit, por ende nuk është vendosur gjë.

Madje, edhe vetë federata nuk e ka përcaktuar ende fushën se ku do të luhet derbi i Prefekturës Elbasan. Për shkak të fushës, derbi i kaluar me Elbasanin si pritës u degdis në Berat, aty ku edhe elbasanasit morën pikën e parë të këtij sezoni”.