Nga Endri ÇINARI
Ditën e sotme është luajtur futboll në mbarë Europën dhe përjashtim nuk bën as Azerbajxhani. Në kampionatin azer është zhvilluar java e 25-të e sezonit, ku në fushë kanë zbritur skuadrat e Ziras dhe Turan. Me këta të fundit aktivizohet prej janarit të vitit 2023 edhe Belajdi Pusi.
Sulmuesi shkodran i cili ka luajtur si titullar në këtë duel ditën e sotme dhe ka arritur të gjejë edhe rrugën e rrjetës. 26-vjeçari ka zhbllokuar rezultatin në minutën e 12-të të ndeshjes për ti dhënë avantazhin momental 0-1 skuadrës së tij. Por gjithçka në fundin e takimit u mbyll në “paqe” mes dy ekipeve për shifrat përfundimtare 1-1.
Një rezultat që e lë ekipin e Ziras në vendin e 4-ët me 36 pikë e ndërsa Turan në vendin e 7-të me 32 pikë. Për tu rikthyer tek Pusi, ish-sulmuesi i Vllaznisë vijon me momentin e mirë në kampionat, ku pas asistit në javën e shkuar, shënoi ditën e sotme. Ky ishte goli i tij i 4-ët në këtë kampionat me fanellën e Turan.
Më mirë se ai tek skuadra e Turan kanë bërë John me 6 gola, ku edhe ky futbollist ka luajtur në kampionatin shqiptar me Skënderbeun. Edhe sulmuesi rus, Guseynov me 5 gola në këtë sezon të kampionatit azer. Ky është sezoni i dytë i Pusit jashtë Shqipërisë, ku në vendin tonë përveç Vllaznisë, sulmuesi është aktivizuar edhe 3.5 sezone me Skënderbeun./www.shkodrasport.com/