Emiliano Vila ka folur në prag të ndeshjes që Teuta e tij do të zhvillojë me Flamurtarin. Nesër në 14:00 durrsakët do të presin vlonjatët e vendit të fundit, duke kërkuar fitoren e radhës.
Në lidhje me këtë takim, Vila ka folur për mediat duke kërkuar kujdesin maksimal ndaj një kundërshtari që i hapi punë edhe kryesuesve të Tiranës në mesjavë. Sulmuesi e sheh mundësi reale fitimin e Kupës së Shqipërisë, teksa vendos theksin se Europa kalon nga ky trofe.
“Atmosfera ? Normale që atmosfera është shumë e mirë, duke e ditur që fitorja erdhi në momentin e duhur. Jemi duke përgatitur ndeshjen e nesërme me Flamurtarin. Jemi të gjithë në rregull.
Në letër normal që është ndeshje e lehtë, por duke parë kampionatin nuk mendoj se ka të tilla. E vlerësojmë maksimalisht Flamurtarin, para disa javësh kemi gabuar me Luftëtarin. Nuk na lejohet asnjë hap fals. Flamurtari nuk ka çfarë humb nesër.
Ata e treguan edhe me Tiranën që luajnë, i hapën punë dhe nuk ishte e lehtë për ta. Do hyjmë në fushë siç kemi hyrë në dy ndeshjet e fundit me Partizanin dhe Kukësin, ku kemi bërë një lojë shumë të mirë.
Ky kampionat e ka treguar që nga i pari, tek i fundit, të gjithë luajnë futboll dhe të hapin probleme. Nesër do japim maksimumin të fitojë dhe të marrim tre pikët. Kjo është gjëja më e rëndësishme. Nuk dua të shohim ndeshjet e tjera, por të shohim ndeshjen me Flamurtarin. Të marrim tre pikët dhe pastaj të mendojmë për Laçin. Aty shihet se ku do të renditemi.
Presioni te vendasit? Përgjegjësia është te ne, lojtarët durrsakë. Kemi eksperiencë, si unë, Arapi e Rustem Hoxha, apo edhe disa djem të tjerë, si dhe është bërë ndërthurja me të rinjtë. Presidenca ka bërë një grup të mirë. Kemi treguar se luajmë futboll të mirë, japim maksimumin. Tani të shohim përpara.
Besoj se kemi zhvilluar një kampionat pozitiv deri tani. Jemi në garë për në Kupë dhe në kampionat. Shpresoj që për 100 vjetor të fitojmë Kupën e Shqipërisë. Ta sjellim në Durrës, pasi ka kaq shumë vite. Për mendimin tim dhe të gjithë çunave, kupa është kryesore. Do kalojme fillimisht Vllazninë në çerekfinale dhe do te shohim perpara per gjysmefinalen dhe finalen. Pastaj edhe kampionati, pasi edhe nga aty mund të kualifikohemi në Europë”,u shpreh Vila.